Stay Signed In
Do you want to access your site more quickly on this computer? Check this box, and your username and password will be remembered for two weeks. Click logout to turn this off.
Stay Safe
Do not check this box if you are using a public computer. You don't want anyone seeing your personal info or messing with your site.
Disa udhëzime Kur'anore në lidhje me bamirësinë ndaj gruas
Autor: Abdurrezak El-Bedër
Kush mediton mbi librin e All-llahut, të cilin e ka zbritur për robërit e tij si udhëzim dhe mëshirë, dritë dhe përkujtim për ata që pëkujtojnë, do të gjejë përkujdesje të madhe në lidhje me çështjen e femrës, nxitje të fortë për ruajtjen e të drejtave të saj, si dhe qortim për padrejtësinë dhe zullumin që mund t'u shkaktohet atyre. Në Kur'anin fisnik ka ajete të shumta që flasin për një gjë të tillë, madje në Kur'an gjendet një kaptinë e tërë e quajtur Suretun-Nisa (Kaptina e Grave), në të cilën ka një numër të konsiderueshëm të ajeteve që kanë të bëjnë me gratë dhe me sqarimin e të drejtave të tyre. Prej udhëzimeve Kur'anore, në lidhje me bamirësinë ndaj gruas, janë këto që vijojnë:
1. Urdhri për sjellje të mirë ndaj tyre, brenda kufijve të mirësjelljes dhe bamirësisë, në përputhshmëri me dispozitat e mëdha dhe kriteret e qëndrueshme islame, duke tërhequr vërejtjen për padrejtësinë dhe shkeljen e ligjeve të All-llahut, të cilat e udhëzojnë robin se si të sillet me gruan. All-llahu thotë:
"Shkurorëzimi (pas të cilit mund të bëhet rikthimi pa ndonjë akt të ri të martesës) është dy herë, e pastaj ose jetë e njerëzishme (bashkëshortore), ose shkurorëzim me mirëkuptim. Juve (burrave) nuk ju lejohet të merrni asnjë send nga ajo që u keni dhuruar (me rastin e martesës), përveç nëse që të dy frikësoheni se nuk do të mund t'i ruani dispozitat e All-llahut (në bashkëshortësi). Nëse keni frikë se ata të dy nuk do të mund t'i ruajnë dispozitat e All-llahut, atëherë nuk është gjynah për asnjërën palë nëse ajo prapë kthen (dhuratën qe e ka marrë për martesë), si kompensim (të divorcit që i ofron burri). Këto janë dispozitat e All-llahut. Pra, mos i kundërshtoni, sepse kush i tejkalon ligjet e All-llahut, pikërisht të tillët janë zullumqarët. Në qoftë se ai (burri) e lëshon gruan (për herë të tretë), atëherë, pas atij (lëshimi), nuk i lejohet atij të martohet me të, përderisa ajo të mos martohet me një burrë tjetër. Nëse ai (burri i dytë) e lëshon atë, atëherë, për ata të dy, po qe se mendojnë se do t'i zbatojnë ligjet e All-llahut, nuk ka pengesë të rikthehen (në bashkëshortësi). Këto janë dispozita të All-llahut që ia sqaron një populli që kupton. Kur t'i keni lëshuar gratë dhe ato i afrohen afatit të tyre (të pritjes pas shkurorëzimit), atëherë ose mbani si duhet, ose lini si duhet (të gjejnë fatin e vet), e mos i mbani sa për t'i dëmtuar e të bëheni të padrejtë. Kush e bën një gjë të tillë, ai e ka dëmtuar vetveten. Dhe, mos i merrni dispozitat e All-llahut për shaka. Kujtoni të mirat e All-llahut ndaj jush dhe atë që jua shpalli nga libri (Kur'ani) dhe urtësia (Suneti), që ju përkujton juve, dhe kini frikë All-llahun e ta dini se All-llahu është i Gjithëdijshëm për çdo send. Dhe kur i lëshoni gratë e ato e përmbushin afatin e tyre (të pritjes), nëse pëlqejnë mes vete, mos i pengoni që të martohen për burrat e tyre. Me këtë këshillohet ai që e beson All-llahun dhe botën tjetër. Kjo është më e ndershme dhe më e pastër për ju, ngase All-llahu e di e ju nuk e dini." (El-Bekare-229/232)
2. Kur'ani vendosi dispozita të hollësishme lidhur me furnizimin e gruas gjate kohës kur ajo është e martuar apo gjatë kohës kur nuk ka përfunduar shkurorëzimi i saj, duke nxitur që bamirësia ndaj saj të mbizotërojë në të gjitha etapat. All-llahu thotë:
"Nuk është mëkat për ju nëse i lëshoni gratë pa pasur marrëdhënie (intime) me to dhe para se t'u caktoni atyre mehrin (dhuratën e nusërisë). Jepuni diç atyre. I pasuri sipas mundësisë së tij dhe i varfëri sipas mundësisë së tij. Një vlerë e arsyeshme është obligim për bamirësit. Nëse i lëshoni ato para se të keni marrëdhënie me to dhe u keni caktuar mehër, atëherë duhet t'ua jepni gjysmën e asaj që e keni caktuar, përveç nëse ato ju falin ose ju fal ai i cili është përgjegjës për martesën e saj. Të falni (burra ose gra) është më afër devotshmërisë. Mos e harroni bamirësinë ndërmjet jush, se vërtet All-llahu sheh atë që veproni". (El-Bekare-236/237)
3. E obligoi burrin që t'i japë gruas mehrin, të cilin ia ka caktuar asaj, përveç në qoftë se ajo heq dorë nga një pjesë e këtij mehri. Atëherë, për të (burrin) një gjë e tillë bëhet hallall. All-llahu thotë:
"Dhe jepuni grave mehrin (detyrimisht). Në qoftë se ato, nga vullneti i tyre, ju falin diçka, atëherë hani atë hallall të mirë". (En-Nisa-4).
4. Asaj (gruas) i ka caktuar hise në trashëgimi nga ajo që e kanë lënë prindërit apo dikush tjetër nga farefisi i saj, varësisht nga lloji i afërsisë, brenda suazave që asaj i takon. All-llahu thotë:
"Meshkujve u takon një pjesë nga pasuria që lënë prindërit e të afërmit (pas vdekjes) dhe femrave u takon një pjesë nga ajo që lënë prindërit e të afërmit, qoftë ajo që e lënë pak ose shumë, u takon një pjesë e caktuar." (En-Nisa-7)
5. Dhe tërheq vërejtjen kundra pengimeve në martesë, që t'u bëhet presion për divorc apo të mos u jepet i tërë mehri. All-llahu thotë:
"O ju që besuat, nuk është e lejuar për ju të trashëgoni gratë (e të vdekurve) në mënyrë të dhunshme e as t'i shtrëngoni (e ato të kërkojnë shkurorëzim) për t'u marrë diçka nga ajo që u keni dhënë atyre, përveç nëse ato bëjnë ndonjë imoralitet të hapur. Çoni jetë të mirë me to. Nëse i urreni ato, bëni durim, se ndodh që ju të urreni një gjë e All-llahu të japë gjëra shumë të mira në të. Në qoftë se dëshironi ta ndërroni (ta merrni) një grua në vend të një gruaje (të shkurorëzuar), e asaj (të shkurorëzuarës) i keni dhënë pasuri të madhe, mos merrni prej saj asnjë send. A do të merrni atë pa të drejtë dhe në mënyrë mizore?" (En-Nisa-19-20)
6. Ka sqaruar dallimet që kanë mes veti (burri dhe gruaja) dhe përparësitë që i kanë njëri ndaj tjetrit, si dhe ka ndaluar që të lakmohet në dallimet dhe përparësitë e njëri-tjetrit. All-llahu thotë:
"Dhe mos lakmoni në atë që All-llahu gradoi disa nga ju mbi disa të tjerë. Burrave u takon hise nga ajo që fituan ata dhe grave u takon hise nga ajo që fituan ato. All-llahut kërkoni nga të mirat e Tij. All-llahu është i Gjithëdijshëm për çdo send." (En-Nisa-32)
7. E ka bërë gruan shoqëruese të burrit në përulje dhe respekt ndaj All-llahut, duke e urdhëruar gruan për atë që e ka urdhëruar burrin prej adhurimeve, dhe çdonjëri prej tyre do të ketë shpërblimin varësisht nga sinqeriteti, zelli dhe ibadeti i tij. All-llahu thotë:
"Nuk ka dyshim se për muslimanët dhe muslimanet, për besimtarët dhe besimtaret, për adhuruesit dhe adhurueset, për të sinqertit dhe të sinqertat, për durimtarët dhe durimtaret, për të përulurit dhe të përulurat, për sadaka-dhënësit dhe sadaka-dhënëset, për agjëruesit dhe agjërueset, për të ndershmit dhe të ndershmet, për ata që e përmendin shumë All-llahun dhe ato që e përmendin shumë All-llahun, All-llahu ka përgatitë falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh". (El-Ahzab-35)
8. Ka vendos rregulla precize për të zgjidhur grindjet dhe mosmarrëveshjet, apo çdo mospajtim që ndodh mes dy bashkëshortëve. All-llahu thotë:
"Dhe në qoftë se ndonjë grua ka frikë nga ashpërsia e burrit ndaj saj apo nga braktisja e burrit, atëherë nuk gabon po qe se gjen për vete ndonjë zgjedhje, por pajtimi është më i dobishëm. Megjithëkëtë, koprracia është prezente ndër njerëzit, por nëse silleni mirë dhe ruheni, s'ka dyshim se All-llahu është hollësisht i njohur për gjithçka që punoni. Ju, kurrsesi, nuk do të mund ta mbani drejtësinë mes grave, edhe nëse përpiqeni. Pra, mos anoni plotësisht nga njëra e të lini tjetrën si të varur. Nëse përmirësoheni dhe ruheni (nga padrejtësia), All-llahu ju falë dhe ju mëshiron." (En-Nisa-128/129).
9. I ka qortuar politeistët për urrejtjen e femrës dhe shumë i ka nënçmuar për atë. All-llahu thotë:
"Dhe kur ndonjëri prej tyre lajmërohet për lindjen e vajzës, atij i nxihet fytyra dhe mbushet plot hidhërim. Ai fshihet nga njerëzit, për shkak të keqes me të cilën u lajmërua. Ai pyet vetveten a ta mbajë atë (vajzën), i përulur, apo ta varrosë atë. Sa i keq është gjykimi i tyre!" (En-Nahl-58/59)
10. Ka ndaluar rreptësisht që të akuzohen besimtaret e ndershme për ndonjë gjë nga e cila ato janë të pastra. All-llahu thotë:
"Ata të cilët bëjnë shpifje për gratë e ndershme dhe nuk sjellin katër dëshmitarë rrihni me nga tetëdhjetë të rëna, dhe atyre mos ua pranoni dëshminë më kurrë. Të tillët janë të pabesueshëm." (En-Nurë-4)
Dhe në një ajet tjetër thotë:"Vërtet, ata që i akuzojnë gratë e ndershme, besimtare të pafajshme, janë të mallkuar në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe ata i pret një dënim shumë i madh." (En-Nurë-23)
11. Ka sqaruar se martesa është prej shenjave të mëdha të All-llahut, me të cilën realizohet qetësia, dashuria dhe mëshira. All-llahu thotë:
"Dhe nga faktet (e madhërisë) e Tij është që për ju Ai krijoi palën (gratë) nga vetë lloji juaj, që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argument për njerëzit që mendojnë". (Err-RRum-21)
12. Ka vendosur dispozita lidhur me shkurorëzimin, afatin e pritjes pas divorcit, dëshmitarët (e divorcit), shpenzimet për gruan (gjatë kohës së pritjes), në qoftë se vjen deri te ndarja. All-llahu thotë:
"O ti pejgamber, kur t'i lëshoni gratë, lëshoni ato në kohën e pastërtisë së tyre dhe llogariteni mirë kohen e pritjes (pritje pas të cilës bëhet ndarja definitive). Kini frikë All-llahun, Zotin tuaj, dhe mos i nxirrni ato prej shtëpive të tyre (gjatë kohës së pritjes), dhe ato të mos dalin ndryshe vetëm se nëse bëjnë ndonjë të keqe të vërtetuar. Këto janë dispozitat e All-llahut. Kush del jashtë dispozitave të All-llahut, ai e ka dëmtuar vetveten. Ti nuk e di që, ndoshta, pas kësaj, All-llahu të jep diç tjetër (më të mirë). Kur t'u afrohet mbarimi i afatit të pritjes së tyre, atëherë ose mbani (i ktheni në jetën bashkëshortore) si duhet, ose ndahuni prej tyre me të mirë, e këtë ta dëshmojnë dy dëshmitarë të drejtë nga mesi juaj dhe dëshminë zbatojeni për hir të All-llahut. Kështu këshillohet ai që i beson All-llahut dhe Ditës së Fundit. Dhe, kush e ka frikë All-llahun dhe i përmbahet dispozitave të Tij, atij All-llahu do t'i hapë rrugë (nga çdo vështirësi)". (Et-Talakë-1/2)
Në një ajet tjetër, thotë: "Ato (gratë e lëshuara), sipas mundësisë suaj, vendosni në ndonjë vend ku banoni ju, e mos i ngushtoni ato për t'i detyruar (të dalin). Në qoftë se ato janë shtatzëna, atëherë furnizoni ato derisa të lindin. Nëse ato u japin gji fëmijëve tuaj, atëherë jepni atyre shpërblimin që u takon dhe kini mirëkuptim mes veti ashtu si duhet. Në qoftë se hasni në probleme mes vete, atëherë kërkoni për fëmijën tuaj ndonjë gji-dhënëse tjetër". (Et-Talakë-6)
13. E kufizoi poligaminë me katër gra pasi që ishte çështje e hapur, duke e kushtëzuar atë me drejtësi mes tyre. All-llahu thotë:
"Martohuni me ato gra që ju pëlqejnë, me dy, me tri e me katra. Nëse i frikësoheni padrejtësisë (ndaj tyre), atëherë vetëm me një". (En-Nisa-2)
Këta ishin disa shembuj nga udhëzimet e Kur'anit Fisnik, lidhur me gruan dhe bamirësinë ndaj saj, si dhe dispozitat të cilave duhet përmbajtur në raport me të. Këto janë dispozita që në vete përmbajnë urtësi, janë udhëzime që janë të drejta dhe të qëndrueshme, pa të cilat nuk rregullohen lidhjet dhe raportet e njerëzve, ngase janë shpallje nga Krijuesi i botëve, nga i Gjithëdijshmi për krijesat e Tij, nga i Urti në legjislacionin e Tij.